Qeveria e Kosovës ende nuk e ka miratuar projektligjin për paga.
Ani pse ministri i Kurtit, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar se Projektligji për Paga për sektorin publik do të procedohet për miratim në Qeveri në muajin mars.
E, tashmë ka kaluar edhe një javë e muajit prill, dhe nga Qeveria ende nuk ka asgjë të re për këtë çështje, shkruan FrontOnline.
Qeveria: Projektligji për Paga ndodhet në fazën përfundimtare.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për FrontOnline ka thënë se projektligji ndodhet në fazën përfundimtare të draftimit, pa treguar se kur pritet të miratohet në Qeveri.
“Projektligji ndodhet në fazën përfundimtare të draftimit. Pas finalizimit të tij do hapim konsultimet publike ku do të jenë të ftuara të gjitha sindikatat, mediat dhe shoqëria civile. Ligji i kaluar por edhe korniza aktuale e sistemit të pagave ka shumë parregullësi të cilat kanë nevojë për trajtim të kujdesshëm dhe sistematik”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë.
Ai ka treguar se janë duke punuar në këtë projektligj për t’i adresuar të gjitha çështjet.
“Jemi duke punuar intensivisht adresimin e të gjitha çështjeve. Synimi ynë është që ligji fillimisht dhe mbi të gjitha të jetë ligj i mirë i cili në mënyrë të drejtë bën rregullimin dhe nivelizimin e pagave në sektorin publik”, ka thënë Kryeziu, për FrontOnline
Ndërsa, nga opozita po vlerësojnë se janë skeptik që ky projektligj do të dërgohet ndonjëherë në Kuvend.
Tahiri: Sipas dinamikave të deritanishme Ligji për Paga nuk kalon as këtë vit
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, është skeptik që Ligji për Paga do të kalojë në këtë vit.
“Përgjigja është shumë e thjeshtë. Kjo qeveri nuk ka vullnet me kalu këtë ligj dhe me dinamikat e deritanishme ligji nuk kalon as këtë vit”, ka deklaruar Tahiri.
Ai, për FrontOnline ka treguar edhe arsyet se përse mendon se ky ligj nuk do të miratohet.

“Është zvarrit tri herë, është zvarrit në vitin e kaluar, në agjendën legjislative ka qenë që të vie fillimisht në tetor , pastaj në draftin e dytë të vitit të kaluar në agjendën legjislative ka pasë të vie në dhjetor dhe në këtë agjendë legjislative ka pasë të vie në mars që nënkuptom se s’ka vullnet politik me kry këtë ligj”, është shprehur ai.
Shala: Nuk presim që projektligji për paga të vie në Kuvend shpejtë, Qeveria është e paaftë
Mendim të njëjtë ka edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Ai, në një prononcim për FrontOnline thotë se kjo qeveri është duke ikur nga premtimet e saja.
“Qeveria praktikisht ka ikur nga premtimet e saja tash e sa kohë që ka dhënë për Ligjin e Pagave, ka premtuar që do ta sjellë dhe nuk e ka sjellë.
Nuk presim që do të vie shpejtë pikërisht për shkak të paaftësisë së Qeverisë sepse që ta përgatit ose ta procedojë në Kuvend një ligj i cili do të kishte me e rregullu komplet sistemin e pagave në Kosovë, me bë nivelizimin, barazimin dhe harmonizimin si dhe rritjen konform asaj që sot qytetarët e vendit kanë nevojë”, ka deklaruar Shala, për FrontOnline.
Sipas tij, kjo qeveri nuk mund ta sigurojë një proces transparent sa i përket këtij projektligji.
“Sinqerisht është një administratë e tërë qeveritare që është jashtë funksionit për shkak të paaftësisë vendimmarrëse për me sigurua një proces të ligjshëm, transparent dhe me iu përgjigj kërkesave jashtëzakonisht të rënda ekonomike në këtë periudhë të inflacionit dhe të pandemisë që ka Kosova”, është shprehur ndër të tjera Shala.
Shala, thotë se Ligji i Pagave do të ndikonte sado pak në balancimin dhe zbutjen e situatës shumë të rënduar të ekonomisë familjare.
Bunjaku e LDK-së: Kjo qeveri nuk do ta sjellë as në prill projektligjin e pagave në Kuvend
Skeptike që ky projektligj do të sillet në Kuvend është edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku.
Ajo, thotë për FrontOnline se nuk beson që ky projektligj do të dërgohet në Kuvend as në muajin prill.
“Sa i përket Ligjit të Pagave unë mendoj se Ligji i Pagave ka qenë i gatshëm kur kanë ardhë këta në pushtet, ka qenë drafti i përgatitur por nuk e di arsyen se përse nuk po e sjellin Ligjin e Pagave dhe nuk e besoj,
që kanë me arrit me sjellë në prill në Kuvend projektligjin e pagave sepse kjo Qeveri nuk është ka punon, por thjesht është duke bërë hajgare me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pikërisht është duke i acaruar raportet me të gjitha sindikatat si të arsimit, të shëndetësisë, të inspektoratit, të policisë”, ka thënë ajo.
Sipas Bunjakut, qeveria Kurti pavarësisht që ka shumicën nuk është duke sjellë në Kuvend ligje të rëndësishme të cilët janë në shërbim të qytetarëve.
Ligji i pagave është miratuar në muajin shkurt të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi në mars.
Por, në dhjetor të vitit 2019, institucioni i Avokatit të Popullit këtë ligj e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, për, siç u tha, “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.
Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura