Ekonomistët kanë paralajmëruar rritje edhe më të mëdha të çmimeve në Kosovë

by RHP3

Është vështirë që të ndërmerret ndonjë masë për parandalimin e rritjes së inflacionit në Kosovë, pasi një gjë e tillë do të kishte efekte negative në rritjen e ekonomisë së vendit, tha të mërkurën guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Ai i bëri këto komente gjatë një raportimi para Komisionit parlamentar për buxhet, punë dhe transfere.

Sipas tij, agresioni rus në Ukrainë, që ka nisur më 24 shkurt, ka trazuar ekonominë globale, me theks të veçantë atë të Evropës dhe kështu ka pasur ndikim jodirekt edhe në Kosovë.

Evropa, gati 40 për qind të furnizimeve me gaz i merr nga Rusia.

Lu.fta në Ukrainë ngadalëson edhe ekonominë e Kosovës

Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë afro 30 për qind të eksporteve globale të grurit.

Tregjet, paraprakisht, i ka lëkundur edhe pandemia e koronavirusit.

Rritja e çmimeve të konsumit në dy muajt e parë të këtij viti pothuajse e ka dyfishuar inflacionin në Kosovë, në krahasim me mesataren vjetore të vitit 2021.

Sipas Indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, që del nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor gjatë vitit 2021 ka qenë mesatarisht 3.4 për qind.

Ndërkaq, në janar të këtij viti, inflacioni mujor ka qenë 7.1 për qind dhe në muajin shkurt 7.5 për qind.

Mehmeti i konfirmoi të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Ai tha se në disa takime të mbajtura me Bankën Qendrore Evropiane, nuk është marrë ndonjë masë që do të parandalonte rritjen e inflacionit, me qëllim që të mos pengohet, sipas tij, rritja ekonomike në vend.

“Prandaj, edhe ne, si Bankë Qendrore, por po mendoj edhe Qeveria [e Kosovës], në këtë kontekst… nëse shkojmë dhe marrim masa me qëllim që ta ndalim inflacionin – edhe pse është shumë e vështirë, sepse është inflacion i importuar – atëherë do ta ndikojmë ose do të kemi efekt negativ në rritjen ekonomike”, tha Mehmeti.

Varësia nga importi rrit çmimet në Kosovë

Ai sqaroi se inflacioni është i importuar, për shkak se Kosova varet nga importimi i produkteve nga vendet evropiane.

Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importi i mallrave në janar të këtij viti ka kapur vlerën e 338.1 milionë eurove, ndërsa eksporti ka qenë në vlerë prej 64.2 milionë eurosh.

Sadiku: Kosova importon edhe çmimet e larta

Profesori i Ekonomisë në Kosovë, Muhamet Sadiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se, tash për tash, burimi i çrregullimit të tregut botëror – luf.ta në Ukrainë – nuk jep shenja të përmirësimit. Sipas tij, “avaria ekonomike në tregun botëror do të vazhdojë”.

Sadiku thotë se çmimet janë rritur në mënyrë të konsiderueshme në të gjithë Eurozonën, pjesë e së cilës është edhe Kosova.

Ai thotë se Kosova, me importin nga jashtë, importon edhe çmimet e larta.

“Kjo do të thotë që edhe ne, gjithnjë e më tepër do të jemi të prekur në muajt në vazhdim. Prandaj, unë nuk pres ndonjë qetësim të çmimeve, edhe përkundër masave që Qeveria [e Kosovës] mundohet t’i marrë”.

“Por, Qeveria e Kosovës nuk i ka kapacitetet e duhura që të përballet me trendët që vijnë nga tregu botëror. Po qe se vazhdohet me këtë ritëm të çrregullimeve, atëherë duhet pritur që niveli i inflacionit në Kosovë të arrijë deri në 10 për qind”, thotë Sadiku.

Related Articles

Leave a Comment