Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, sot mori pjesë në përurimin e Shkollës së re Fillore dhe të Mesme të Ulët “Bajram Curri”, në Krushë të Madhe, e që përkon me Ditën e shkollës.
Duke e konsideruar këtë si festë të dyfishtë, Kurti tha se në Krushën e Madhe, të dhembjes së madhe, sot po na bashkon gëzim.
“Kjo shkollë e mban emrin e një atdhetari tonë të madh, të lindur këtu, në Krushë të Madhe, pra Bajram Currit, të cilit në vitin që shkoi e kishim 160-vjetorin e lindjes. Si veprimtar i çështjes sonë kombëtare që u angazhua edhe për shkollën shqipe, duke ndihmuar për themelimin e klubeve e shkollave shqipe në Kosovë dhe duke mbrojtur alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në Kongresin e Manastirit. E sot, bashkë po përurojmë një shkollë të re në vendlindjen e tij të dashur për të gjithë neve”, tha kryeministri Kurti.
