Ikja e mjekëve nga Kosova është kthyer në temë diskutimi.
Është raportuar që vetëm për një muaj janë larguar mbi 20 mjekë.
Ndërsa, shkak i ikjes së tyre vazhdojnë të jenë kushtet dhe mos përkrahja nga shteti, shkruan FrontOnline.
Por, ka edhe prej tyre që janë duke pritur që ta lëshojnë vendin.
Bëhet fjalë për anesteziolog.

Këtë e ka bërë të ditur për FrontOnline, drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahija.
Sipas tij, në Klinikën e Anesteziologjisë janë 54 anesteziologë në marrëdhënie pune.
Spahija ka treguar se sa prej tyre janë në pritje për ta lëshuar vendin e punës.
“Në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenisv në QKUK për momentin janë në marrëdhënie pune 54 anesteziolog, ku nga ta 2 do të pensionohen këtë vit dhe 2 prej tyre presin vendimin e tyre për lëshim të punës”, ka thënë ai, për FrontOnline.
Ai ka treguar edhe sa prej anesteziologëve e kanë lëshuar punën dhe janë pensionuar në vitin 2020 dhe vitin 2021.
“Në vitin 2021, 3 anesteziolog e kanë lëshuar punën, kurse 3 janë pensionuar. Ndërsa, në vitin 2020 4 anesteziolog e kanë lëshur punën kurse një ka vdekur”, është shprehur ndër të tjera Spahija, për FrontOnline.
Vetëm gjatë katër vjetëve të fundit mbi 400 mjekë të Kosovës kanë lënë vendin për të punuar në shtetet e Evropës.
Ikja nga vendi u tha se po bëhet për shkak të pagave të vogla dhe kushteve jo të mira të punës.
Ndryshe, më 12 janar Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, duke filluar nga janari deri në gusht të këtij viti.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, para kabinetit qeveritar kishte thënë se duke pasur parasysh migrimin e mjekëve dhe pandeminë COVID-19 kjo është çështje me prioritet.
“Me qëllim të stimulimit të stafit shëndetësor, sidomos duke pasur parasysh trendin e migrimit të mjekëve tanë dhe pandeminë COVID-19, Ministria e Shëndetësisë e konsideron pagesën e specializantëve me vetfinancim si çështje me prioritet për vendin”, tha ai./FrontOnline