Kuvendi i Komunës së Rahovecit ka mirautar propozimin e kryetari Smajl Latifi për themelimin e çmimit “Ukshin Hoti”.
Në një postim në Facebook, kryetari Smajl Latifi ka falenderur anëtarët e Kuvendit Komunal, të cilët e votuan njëzëri këtë propozim.
“Çmimi mund t’iu jepet edhe të huajve që i kanë kontribuuar çështjes shqiptare dhe mbrojtjes së vlerave botërore civilizuese, por mund t’u ndahet edhe personave pas vdekjes (Post mortum)”, ka shkruar ai.
Latifi ka vlerësuar lartë figurën e veprimtarit dhe intelektualit shqiptar, Ukshin Hoti.
“Do të jetë nder për secilin që do ta pranojë këtë çmim, i cili ngërthen në vete vlera të larta morale e kombëtare, të përfaqësuara në figurën e veprimtarit dhe të intelektualit të shquar shqiptar Ukshin Hoti. Jeta dhe veprimtaria e këtij veprimtari e intelektuali përmasash të mëdha është një simbiozë ndërmjet tij dhe popullit shqiptar.
Ai merrte motiv nga qëndresa shqiptare për liri e bashkim, ndërsa populli ynë dimensionin e ri të stoicizmit dhe vendosmërisë për arritjen e qëllimeve të larta kombëtare. Kauza e kombit shqiptar u bë kauzë edhe e Ukshin Hotit, për të cilën dha gjithçka që pati.
Ai përfaqëson dinjitetin njerëzor e kombëtar, guximin e vendosmërinë për të qëndruar stoik përballë dhunës e kërcënimeve serbe”, ka shkruar ai.
“Përgëzoj anëtarët e Kuvendit Komunal, të cilët e votuan njëzëri këtë propozim, duke e bërë vendim. Jam shumë i lumtur që komuna e Rahovecit mund të nderojë njerëzit meritorë me këtë çmim që mban emrin e kolosit të kombit shqiptar, profesorit Ukshin Hoti”, ka shtuar Kryetari Latifi.
