Kompania kosovare për furnizim me energji elektrike, KESCO, ka apeluar për kursim të energjisë elektrike, pasi siç ka thënë situata aktualisht është shumë e pafavorshme për shkak të dyfishimit të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare si pasojë e luftës në Ukrainë, transmeton Reporteri.net.
Përmes një kumtese për media, KESCO thotë se para sulmit të Rusisë në Ukrainë çmimi ka qenë rreth 250 euro për megavat për energji elektrike në kohë piku, të cilën kryesisht e blen Kosova, ndërkaq tani çmimi mesatar sillet afro 500 euro megavati.
Sipas KESCO-s për furnizim, ngritja e çmimit dhe përkeqësimi i motit në Kosovë, ka bërë që të ketë situatë shumë të pafavorshme.
“Këto lëvizje negative kanë korresponduar me përkeqësimin e motit te ne. Kjo ka bërë që kërkesa për konsum të energjisë elektrike në Kosovë të rritet dukshëm. Pasi që kërkesa e tejkalon prodhimin vendor, atëherë ne duhet detyrimisht ta importojmë sasinë e nevojshme nga jashtë. Çdo rritje e kërkesës në këto rrethana, pra secili megavat që i shtohet sistemit, duhet të sigurohet nga importi i energjisë elektrike, që me çmimet aktuale është shumë i pafavorshëm, edhe kur krahasohet me dy muajt e parë të këtij viti, kur u shënua një rënie e çmimeve”, thuhet në një njoftim të KESCO-s.
Kjo kompani ka bërë thirrje për kursim për të tejkaluar krizën.
“Prandaj, në këto rrethana kursimi i energjisë elektrike dhe shfrytëzimi racional i saj nga të gjithë konsumatorët është i mirëseardhur. Duke vepruar kështu, secili do t’i ndihmonte jashtëzakonisht shumë sistemit elektroenergjetik në Kosovë që ta përballojë sa më lehtë këtë situatë të krijuar. Koordinimi i veprimeve të përbashkëta në mes të akterëve të sistemit dhe konsumatorëve. Pra, bashkimi i forcave për të mirën e përbashkët bën që secila krizë të tejkalohet shumë më lehtë. Ky kursim është jetik të ndodhë gjatë ditëve të ardhshme, kur priten temperatura të ulëta, përderisa pas disa javësh me kalimin e dimrit rriten temperaturat dhe zvogëlohet konsumi i energjisë elektrike, dhe ka mundësi të mbulohet edhe nga prodhimi vendor”, ka thënë KESCO.
Nga 9 shkurti i vitit 2022 qytetarët po përballen me tarifat e reja të energjisë, të rritura pas krizës që kaploi botën në fundvit. Me çmimet e reja do të përballen ata që tejkalojnë blloktarifën prej 800 kilovatësh të shpenzuara në muaj.
