Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj ish drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Rahovecit, Samir Mustafës.
Mustafa po akuzohet për ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria ka të bëjë me një konkurs për fizioterapeut në QKMF-në e Rahovecit, të shpallur më 17 janar 2019, në kohën sa Mustafa ishte drejtor i Shëndetësisë në Rahovec.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Mustafa ka thënë se ende nuk e ka pranuar njoftimin e Prokurorisë për aktakuzë, ndërsa ka thënë se këtë e ka marrë vesh nga mediat.
“Unë si ish drejtor, ka qenë një konkurs për fizioterapeut aty në QKMF, zyrtari ligjor që e ka përpilu kontratën ka bo gabim, unë si drejtor e kam pas kontratën e gatshme edhe vetëm e kam nënshkru, por sipas tyre paska qenë gabim te shifra e pagës. Diçka tjetër nuk ka”, ka thënë Mustafa përmes telefonit.
Sipas Prokurorisë, aktakuza ndaj Samir Mustafës është ngritur me 25 janar të këtij viti.
