Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore e ka vështirësuar sigurimin e artikujve të nevojshëm për familjen me gjashtë anëtarë, Përvetica nga Prishtina.
Kjo familje jeton vetëm me 200 euro të pensionit të kryefamiljarit 76 vjeç Sheqirit. Katër fëmijët e tij, dy vajza dhe dy djem, janë në moshë pune, por të papunë.
“Unë vetëm ua jap fëmijëve paratë e pensionit dhe ata dalin blejnë. Ata po ankohen se janë rritur çmimet. Pensioni nuk mjafton, po çka të bëjmë, aq sa kemi, blejmë”, thotë Përvetica.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit në muajin nëntor të këtij viti ka arritur në 6.9 për qind, nga 0.1 për qind sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Rritja më e lartë është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet. Përveç produkteve për ushqim, në Kosovë është paralajmëruar edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe ujit.
Situatë e ngjashme me çmime është edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.
Rritja e çmimeve ka ardhur për shkak të pengesave në zinxhirin e furnizimeve që ka shkaktuar pandemia COVID-19, si edhe për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.
Rritjen e çmimeve të ushqimeve me vështirësi po e përballon edhe familja prej shtatë anëtarësh e Miradije Shabanit.
Miradija, rreth 50-vjeç është nënë e pesë fëmijëve. Ajo punon në një dyqan në sektorin privat dhe për këtë paguhet 300 euro në muaj. Përveç Miradijes, pagë 320 euro merr edhe vajza saj, e cila punon po ashtu në sektorin privat.
“Me dy paga në familje me vështirësi po ia dal që t’i blej gjërat elementare. Çdo produkt është shtrenjtuar deri në një euro. Vaji është bërë gati dy euro. Paga po shpenzohet vetëm për ushqim, asgjë tjetër nuk mund të llogarisësh”, tha ajo, për Radio Evropa e Lirë.
Një litër vaj vitin e kaluar ka kushtuar 1.13 euro, përderisa tashmë ka arritur në 1.64 euro.
