Vreshtarët e Rahovecit aktualisht preokupim kryesor e kanë çmimin që do të ketë rrushi në treg.
Habib Dina, nga shoqata “Kultivuesit e rrushit” thotë se thënia që “çmimin e përcakton tregu” nuk vlen për vreshtarët e Rahovecit dhe të Kosovës. Ai shprehet se këtu bëhet fjalë për një “treg të kapur”, nga dogana e Kosovës dhe përpunuesit vendor.
“Çmimin e ulët të rrushit e imponojnë bodrumet, përkatësisht përpunuesit e rrushit, kurse Dogana është ajo që me procedura burokratike e pengon eksportimin e rrushit tonë”, thotë Dina i cili me familje posedon rreth 8 hektarë rrush. “Ka kërkesa për rrushin tonë nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia por kemi aq shumë barriera përmes kërkimit të dokumentacionit sa nuk ia dalim, merreni me mend na kërkohen dokumente edhe për gajbe të rrushit”, veçon Dina.
Tashmë kur rrushi i tryezës ka filluar të dalë në treg, Dina thotë se hyrja e rrushit nga tregu i jashtëm e pengon plasimin adekuat të rrushit vendor.
Në Rahovec janë rreth 3 mijë e 200 hektarë vreshta dhe shumë të rralla janë familjet që nuk merren me vreshtari.
Dina nga shoqata “Kultivusit e rrushit” thotë se vreshtarët rahovecian presin që sivjet të hiqen barrierat doganore për kultivuesit e rrushit që do të ndikonte në një çmim solid të rrushit dhe shpërblim të mundit të tyre. Ai njofton se kanë pasur takim me ministrin e Bujqësisë pikërisht për këtë çështje.
“Ne po insistojmë që rrushi për përpunim të mos ketë çmim nën 30 cent”, thekson ai, duke bërë me dije se gjatë vitit të kaluar kilogrami i rrushit është shitur 26 cent, 18 e deri në vetëm 12 cent. “Bëhet fjalë për miliona kilogramë rrush dhe edhe një cent luan rol”, tërheqë vëmenjen Dina.
Edhe vreshtari Ali Morina, 58-vjeçar, i cili posedon rreth 10 hektarë me vreshta ka të njëjtat brenga.
“Problemi kryesor është çmimi i ulët dhe pa u hapur tregu ne do ta kemi vazhdimisht këtë problem”, thotë ai. “Njëjtë besoj se ka me shkuar edhe sivjet, sikur vitin e kaluar që e kam shitur nën 30 cent shumicën dërmuese të rrushit. Sa dokumentacioni kërkohet për me nxjerrë nga Kosova rrushin ne s’kemi llogari me nga pas tyre”, shprehet vreshtari i cili merret me këtë punë nga vitet e 70-ta.
Por Smajl Vehapi, njëri nga përpunuesit e rrushit në Rahovec, pronar i Bodrumit të Vjetër ka thënë se çmimet e rrushit caktohen në bashkëpunim me shoqatat e vreshtarëve. Çmimet e ulëta të vitit të kaluar i ka arsyetuar me pandeminë dhe problemet që ka sjellë ajo në shitje. Ndonëse sezona e vjeljes dhe pranim-dorëzimit të rrushit nuk është larg, për sivjet ai ka thënë se ende nuk është caktuar çmimi definitiv i pranimit të rrushit nga vreshtarët.
Teuta Kurshumlia, menaxhere e shitjes në StoneCastle, njëri nga përpunuesit më të mëdhenj jo vetëm në Rahovec, edhe pse i ka kërkuar pyetjet me shkrim në lidhje me këtë temë dhe ka premtuar të përgjigjet, nuk e ka bërë këtë.
Pyetjet kishin të bënin me përgatitjet për pranim-dorëzimin e rrushit në këtë kompani me kapacitete të mëdha në këtë aspekt, si dhe kriteret dhe mënyrat në bazë të të cilave ata e përcaktojnë çmimin e rrushit që marrin nga vreshtarët./Koha.net/
