Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar të premten se ka nënshkruar vendimin për hapjen e zyrave noteriale në Malishevë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Kaçanik dhe Istog.
Hapja e zyrave noteriale në këto komuna është mundësuar falë ndryshimeve në Ligjin për Noterinë më herët.
“Me ndryshimet në Ligjin për Noterinë është krijuar mundësia e hapjes së zyrave noteriale nga noterët ekzistues, prej të cilëve i kemi zgjedhë gjashtë, ashtu që të njëjtit, përveç zyrave në territorin e komunës ku janë emëruar, të ofrojnë shërbime noteriale edhe në gjashtë komunat pa noterë për të cilat i kemi caktuar”, ka njoftuar Haxhiu në Facebook.
Noterët e këtyre komunave do të shërbejnë të paktën një ose dy ditë në javë për komunat të cilat janë pa noterë.
“Noterët e caktuar për qëllimin e ofrimit të shërbimeve noteriale në territorin tjetër, pa ndërprerë së funksionuari zyrat noteriale në territorin ku janë të emëruar, do të ofrojnë këto shërbime të paktën një ose dy ditë në javë dhe kjo do të vlejë për periudhën kalimtare deri në kompletimin e shërbimit noterial në komunat e mbetura pa noterë”, ka vijuar tutje Haxhiu.
Kjo zgjidhje optimale, sipas ministres së Drejtësisë, do të lehtësojë në masë të madhe qasjen e qytetarëve në ofrimin e shërbimeve noteriale dhe do të mënjanojë shpenzimet e udhëtimit në komunën tjetër, si dhe vështirësitë e tjera, “pasi që këto shërbime nga tash e tutje do të ju ofrohen në komunën e tyre”.
