Ngritet çmimi i tatimit në pronë për gati 100 për qind, reagon opozita

by RHP

Së fundi është rritur norma tatimore në Kosovë e cila ka nxitur reagime të mëdha.

Në një reagim publik nga Lidhja Demokratike e Kosovës thuhet se ‘qeveria e paaftë ka filluar vitin edhe me një ngarkesë tatimore për qytetarët’.

“Qeveria e paaftë ka filluar vitin e ri edhe me një rritje të ngarkesës tatimore për qytetarët e Kosovës. Kjo është edhe një godite tjetër ndaj papërballueshmërisë në kohën kur kosto e rritjes së çmimeve dhe kosto e jetesës ka arritur nivele rekorde në vend. Për shkak të rritjes së barrës tatimore – si rezultat i rritjes së vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave – qytetarët e Kosovës kanë filluar të pranojnë faturat e tatimit në pronë me rritje deri në dyfishim. Kjo ngarkesë shtesë, në kohë të krizës së çmimeve, është e papranueshme dhe e patolerueshme. Vendimet e Ministrisë pa koordinim, janë papërgjegjësi”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të bëjë rishikimin e të gjitha mundësive lidhore për të pezulluar dhe rivlerësuar tatimin në pronë për vitin 2023.

“LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të rishikoj të gjitha mundësitë ligjore për të pezulluar rivlerësimin e tatimit në pronë për vitin 2023, duke mos lejuar rritjen e ngarkesës tatimore në pronë për qytetarët e Kosovës. Gjithashtu Ministria e Financave sa më shpejtë ta dërgojë ligjin e ri për tatimin në pronë në Kuvend në mënyrë që t’iu mundësohet Komunave ulja e pragut të normës tatimore”.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se rritja e tatimit në pronë është sulm ndaj qytetarëve.

“Rritja e tatimit për pronat është sulm ndaj qytetarëve! Efektet zinxhir të krizës socio-ekonomike, nuk mund të shërbejnë si vlerësime reale të normës tatimore të pronave. Logjika që kriza e shkaktuar nga inflacioni të kthehet barrë, jo vetëm e rritjes së çmimeve bazike, por edhe në vlerësimin e vlerës tatimore, është e pa bazuar, jo logjike dhe rënduese për qytetarët. Ka kohë që nxjerrja e parave nga xhepi i qytetarëve, po përkthehet si rritje e të hyrave buxhetore, si rritje ekonomike”, shkroi Tahiri.

Tutje Tahiri tha se shteti po kthehet në instrument të varfërimit të qytetarëve.

“Në vend se shteti të sigurojë vitalitetin e ekonomisë, e të garantojë mirëqenien e qytetarëve, ai po kthehet në instrument të varfërimit të qytetarëve. Nuk vlejnë rregulla të njëjta në kriza, bota njeh teori e shembuj të ndërhyrjes së shtetit, për të kapërcyer kriza, e jo praktika të krekosjes kur qytetari ka plot halle”.

Lidhur më këtë ka ardhur edhe reagimi nga ana e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Në reagimin e tyre, thuhet se Komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë.

“Pas reagimeve të qytetarëve për rritjen e çmimit të faturës për Tatimin në Pronë, duhet të sqarojmë se kjo rritje nuk vjen nga Komunat. Fatura e tatimit në pronë përmban dy elemente mbi bazën e të cilave përcaktohet shuma e kësaj pagese:1. Vlera e pronës për metër katror (m/2) e cila përcaktohet nga Ministria e Financave dhe Transfereve (Departamenti i Tatimit në Pronë) dhe 2. Norma tatimore e cila përcaktohet nga Komunat”, thuhet në reagim.

Sipas Asociacionit, çmimi i faturës së tatimit në pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore.

Related Articles

Leave a Comment