Shkruan gazetari Habib Zogaj:
Lavdi mikut dhe bashkëluftëyarit tim Mizahir Isma.
Takimi i fundit me tè, ditën e hyrjes në Rahovec: ka zbrit nga Maja e Shkodranit, është përqafuar me mua dhe me gjashtë shokët e mi, kemi ndrru aq llafe sa për të mos u harruar kurrë si: “gazetar, kam qenë i sigurt se ti sot këtu do të jesh” etj dhe është ngjitur te Shkëmbi i Shqiponjave për t’u flijuar në luftime atje lartë, më pranë Zotit!
LAVDI , Mizahirit e të gjithë shokëve të rënë!
I ruaj me aq dashuri e respekt sa vërtet momentin e kujtoj sikur sot: i gjatë e i that, i dashur e i gëzuar për ditët që po vinin. Në përqafim, shumë më i gjatë, krejt sipër meje! Kjo ishte te Rrasa e Rahovecit, pranë një barrikade. Na pritën me dashuri shumë rahovecas. Edhe ndonjë gosti…edhe çaj me çajnik nga familja ka sjell dikush. Por ishte gjendje alarmante, frymë lufte…
Me Mizën, ishim njohur sa korrespodoja nga Rahoveci. Takimi aty ishte vërtetësi e ndjenjave tona atdhedashëse dhe veç sa s’fluturonim.
U ndam, duke ikur Miza lartë te Shkëmbi i Shqiponjave, (atje ku e ka të skalitur emrin tani), Profesor Hamdi Berisha me shokët e tij në drejtim të Mullirit të Ali Agës, unë me shokët e mi në drejtim të Lagjës së Cenajve dhe Mellës së Rahovecit, atje kah mund të vinin përforcimet e pushtuesit prej Hoçës së Madhe…
Krejt këto me urdhëra e duke respektuar përpikërisht Hierarkinë Ushtarake të UÇK-së! Kurse dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin na e kushte dhuruar Zoti, natyra atdhedashëse e çlirimtarëve!
