Pesha e çantës që bartin nxënësit e klasave të ulëta, është problem që po i përcjellë ata tash e disa vite.
Madje prej ngarkesës së madhe që bartin, nxënësit në krahasim me moshën që kanë, po ballafaqohen edhe me dhimbje të boshtit kurrizor.
Çantat e ngarkuara tash e sa kohë janë problem për nxënësit dhe prindërit në gjithë Kosovën, problem ky që nuk po ndryshon.
Fëmijët ankohen për peshën e çantës në shumë shkolla të vendit tonë.
Nxënësja e shkollës fillore “Faik Konica” Yllza Mulliqi, ka thënë se nga pesha e rëndë e çantës, shoqërohet edhe me probleme të boshtit kurrizor.
“Mua më dhemb shpina prej çantës së rëndë për shkak se nuk kemi dollapë në klasën tonë dhe më pengon shumë”, tha ajo për kp.
Liridon Shala, prind i një nxënësi nga kjo shkollë, ka thënë se fëmija duhet të ketë një inventarë, sepse kjo peshë e librave që bartin është e rëndë për moshën që kanë.
“Çantat janë të rënda për shkak se ministria ka paraparë kështu. Fëmija duhet të kenë edhe inventarë në shkollë, ku një pjesë të librave duhet t’i lënë aty për shkak se një çantë e tillë për moshën e fëmijës është e rëndë”, tha ai.
Ndërsa, zëvendësdrejtori i shkollës fillore e mesme e ulët “Faik Konica”, në Prishtinë, Blerim Dalipi, ka thënë që politikat arsimore në digjitalizimin e librave duhet të ndryshohen.
“Çantat e rënda normal që nuk është në favor të fëmijës. Kemi nxënës prej para fillores deri në klasën e nëntë, sa që ata nxënës janë të moshës re. Mirëpo në aspektin e bartjes së nxënësve, besoj që politikat arsimore duhet të ndryshohen, e sidomos në digjitalizimin e librave, besoj që do ishte lehtësim i madh për gjithë nxënësit, në këtë drejtim edhe për prindërit”, tha ai.
Sa i përket kërkesave për dollapë, ai ka thënë se shumë shpejtë do të vendosen dollapë në klasa.
