Arrestohet 79-vjeçari, me dokumente false i ‘qiti në emër të vet’ 13 hektarë tokë

by RHP3

M.B, 79-vjeçar nga Peja, ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës dje në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

Sipas hetuesve policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Pejë, dyshohet se ai ka kryer veprat penale  ’legalizimi i përmbajtjes së rreme’ dhe ‘falsifikimi i dokumenteve’.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një komunikate për medie ku bëhet e ditur se 79-vjeçari dyshohet se ka falsifikuar një aktgjykim të vitit 1976 dhe me të ka arritur të bëjë bartjen e një prone prej 13 (trembëdhjetë) hektarëve në pronësi të tij.

Prona e cila deri më 8 shtator të vitit 2021 ka qenë në pronësi të Institutit të Bujqësisë, gjendet në fshatin Qyshk të Pejës.

I dyshuari pas intervistimit në prezencë të avokatit, me vendim të Prokurorit është dërguar në ndalim deri në 48 orë.

Related Articles

Leave a Comment