Ky është ish drejtori i BKT-së i arrestuar, i njejti dyshohet për mashtrim

by RHP3

Ilmi Alili, ish-drejtori i Bankës Kombëtare Tregtare në Prishtinë, të enjten është ndaluar prej Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

I njëjti dyshohet se bashkë me një punëtor të autotaksit “Bini” nga Gjilani, kanë tërhequr 95 mijë euro në bankën BKT të Ferizajt.

Prokuroria Themelore në Ferizaj sot njoftoi se ka ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar për tërheqjen e 95 mijë eurove në bankën BKT në Ferizaj.

Në këtë rast, dyshohet se janë të përfshirë një ish-drejtor i degës së Bankës Kombëtare Tregtare në Pejton të Prishtinës dhe punëtori i autotaxit “Bini”- Gjilan.

Ish-drejtori i BKT-së dyshohet se është i implikuar në veprat penale “Keqpërdorimi i besimit” dhe “Mashtrimi”.

Alili, dyshohet se ia ka mundësuar tërheqjen e parave punëtorit nga Gjilani.

“Sipas Prokurorisë, dyshohet se ish drejtori i BKT-së me inicialet (I.A), i ka mundësuar tërheqjen e parave të dyshuarit tjetër me inicialet (Sh.B), nga llogaria bankare e një qytetari, ku me ç’rast është bërë tërheqja e shumës në vlerë prej 95 mijë eurove në degën e Bankës Kombëtare Tregtare BKT-së në Ferizaj”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Vepra penale “Mashtrimi” sipas nenit 323 në Kodin Penal të Republikës së Kosovës dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.

Po ashtu, sipas Kodit Penal, thuhet se nëse qëllimi i mashtrimit është përfitimi i dobisë materiale të kundërligjshme nga banka, unioni kreditor apo institucioni tjetër financiar ose shkaktimi i dëmit material bankës, unionit kreditor apo institucionit tjetër financiar, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërkaq, “Keqpërdorimi i besimit” sipas të njëjtit kod thuhet kushdo që gjatë përfaqësimit apo kujdesit për interesat pasurore të personit tjetër nuk i përmbush detyrimet e tij ose i keqpërdor autorizimet e tij me qëllim

që vetes apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme apo t’i shkaktojë dëm personit interesat pasurore të të cilit ai i përfaqëson ose pasuria e të cilit është nën kujdesin e tij, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

Në nenin 330 theksohet se nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga kujdestari, avokati apo ndonjë person tjetër që ka detyrim ligjor ndaj pronarit të pasurisë, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Related Articles

Leave a Comment