Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurit Z, i cili dyshohet se i shkaktoi bashkëshortes së tij lëndime të lehta trupore në vazhdimësi.
Ky vendim është marrë të enjten, nga gjyqtari i procedurës paraprake, Mizahir Shabani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Kastriot Memaj, ka deklaruar se ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri Z, nga 27 deri më 29 mars 2022, në shtëpinë e tij, në Rahovec, me dashje i shkakton lëndime të lehta trupore në vazhdimësi bashkëshortes së tij të dëmtuarës S.
Ai tha se janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 165 të KPP-së, për caktimin e masës së paraburgimit, pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale dhe i njëjti mund ta përsëritë atë vepër, të arratiset apo të ndikojë në dëshmitarë.
Sipas tij, prokuroria i ka vlerësuar të gjitha masat e tjera të parapara me nenin 173 të KPPRK-së, mirëpo në rastin konkret nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e të pandehurit në procedurë.
Ndërsa, mbrojtësja e të pandehurit, avokatja Arta Himaj, ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë, duke shtuar se masa e propozuar nga prokuroria është e rëndë.
Ajo tha se i mbrojturi i saj është penduar për rastin që ka ndodhur dhe se sipas saj, veprimet e të pandehurit kanë ndodhur në frustrim e sipër si pasojë e moskujdesit të bashkëshortes ndaj fëmijës së tyre.
Tutje avokatja Himaj tha se i mbrojturi i saj për çdo veprim të tij kërkon falje dhe i premton gjykatës që një veprim i tillë nuk do të përsëritet.
I pandehuri Z, e ka mbështetur fjalën e mbrojtëses së tij.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Mizahir Shabani, pas deklarimit të palëve, ka marrë vendimin mbi caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, duke cekur se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit konform dispozitave të nenit 165 të KPPK-së.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë më 30 mars 2022 ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Z, me arsyetimin se nga 27 mars 2022 deri më 29 mars 2022, në shtëpinë e tij, në Rahovec, me dashje i shkakton lëndime të lehta trupore në vazhdimësi bashkëshortes së tij, të dëmtuarës S.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që për shkak të disa mosmarrëveshjeve të vazhdueshme rreth përkujdesjes së fëmijës së tyre një vjeçar, i pandehuri i revoltuar në vazhdimësi për tre dit radhazi e sulmon fizikisht të dëmtuarën duke e goditur disa herë me grushte dhe shuplaka në regjionin e kokës dhe të trupit.
Me ç’rast, të dëmtuarës thuhet se i shkakton lëndime të lehta trupore, të përshkruara në raportin mjekësor, të lëshuar nga QKMF në Rahovec më 29 mars 2022.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor në vazhdimësi”, nga neni 185, par.1, nënpar.1.4 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
