Instituti Germin ka publikuar një raport në lidhje me remitancat që vijnë nga diaspora në Kosovë.
Në raportin e vetë, Germin, ka konkluduar se diaspora vazhdon të jetë ndër mbështetjet më të mëdha për Kosovën, ndërsa sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës gjatë vitit të kaluar janë dërguar mbi 1 miliard euro remitanca.
“Në bazë të hulumtimit është parë nga afër se çdo e treta ekonomi familjare pranojnë remitanca, e shumë familje janë të varura nga remitancat, duke e pasur si burim të vetëm të të ardhurave. Përkundër kontributit të madh të diasporës në forma të ndryshme të remitancave, qofshin ato individuale, kolektive apo donacione, diskutimi për këto kontribute mbetet i zbehtë dhe jo adekuat”, thuhet nga Germin.
Germin në rekomandimet e bëra në raport ka thënë se remitancat duhet përqendruar në zhvillim ekonomik të vendit. Se shpenzimi i tyre duhet të orientohet te investimet kapitale.
“Përkundër pranimit të madh të remitancave në Kosovë ndër vite, shpenzimi i tyre nuk orientohet në investime kapitale të cilat do të gjeneronin të ardhura dhe vende pune, mirëpo një pjesë e konsiderueshme e tyre shpenzohen për gjëra bazike për jetesë, siç janë ushqimi apo produktet mjekësore”.
Germin ka treguar po ashtu se si kostot për dërgim të remitancave në institucione të ndryshme financiare është tepër e lartë. Ka rekomanduar lehtësim në këtë aspekt.
