Agjencia Kosovare e Privatizimit sot gjatë ditës ka njoftuar se ka tërhequr aksione dhe ka vendosur nën administrim të drejtpërdrejt ndërmarrjen Agrokosova Holding (ish Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”)
” KOMUNIKATË PËR MEDIA
Bordi i Drejtorëve merr vendim për tërheqje të aksioneve dhe vendosje nën administrim të drejtpërdrejt të ndërmarrjes së re Agrokosova Holding (ish Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”)
Prishtinë – Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit sot në mbledhjen e jashtëzakonshme mori vendim për tërheqje të aksioneve dhe vendosje nën administrim të drejtpërdrejt të ndërmarrjes së re Agrokosova Holding (ish Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka”).
NSH “NBI Suhareka/Agrokosova Holding”- është privatizuar më datën 27 gusht 2007 nga Blerësit “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe “QMI” përmes metodës së Spin Off-it Special në valën e 19-të të shitjes në vlerë prej 4,175,999.00 Euro.
Zotimet e kontraktuara (nga blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova Holding) në këtë kontratë janë si në vijim:Zotimet për Investime: 8,600,000.00 Euro;
Sipas Marrëveshjes së Zotimeve, tek pika 2, zotimet për investime kapitale, blerësi zotohet se ndërmarrja do të investoj minimum 8,600,000.00 Euro në investime kapitale brenda periudhës 2 vjeçare.
Zotimet për Punësim: Sipas pikës 3 të Marrëveshjes së Zotimeve, tek zotimi për punësim, blerësi zotohet se:
Gjatë vitit të parë:
3.1.1. Të punësoj minimum 172 punëtorë për 6 muajt e parë;
3.1.2. Të vazhdoj punësimin e këtij numri të punëtorëve deri në 1 vit;
Gjatë vitit të dytë:
3.2.1. Të punësoj minimum 345 punëtorë;
3.2.2. Të vazhdoj punësimin e këtij numri të punëtorëve deri në fund të periudhës së zotimit.
Si rezultat i mos përmbushjes së Marrëveshjes së Zotimeve, AKP nga viti 2011 deri në vitin 2013 i ka lëshuar Blerësit ndëshkimet financiare në vlerë prej 3,579,997.53 Euro, për të cilat ndëshkime Blerësi ka bërë ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS). Ende nuk ka vendim përfundimtar të DHPGJS për këtë rast gjyqësor.
Që nga fillimi i periudhës së zotimeve e deri në shtator 2019, në Ndërmarrjen e Re “Agrokosova Holding” janë realizuar pesë auditime të jashtme nga Auditorë të pavarur. Sipas tyre:
Blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, sepse zotimin për punësime e kanë përmbushur vetëm 24.67% të zotimit të punësimit përgjatë tërë periudhës së zotimeve, pra nga viti 2007 e deri më 15 prill 2017. Punësimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë 759 punëtorë (përgjatë tërë periudhës së zotimeve të shpërndarë nëpër vite) nga numri prej 3,075 punëtorëve të zotuar për punësime sipas kontratës.
Në anën tjetër, shkelje e kontratës është edhe fakti se edhe zotimin për investime e kanë përmbushur vetëm në 85.79% të zotimit për investime përgjatë tërë periudhës së zotimeve, pra nga viti 2007 e deri më 15 prill 2017.
Investimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë EUR 7,378,005.82 nga vlera prej EUR 8,600,000.00 të zotuara sipas kontratës.
Bazuar në raportet e auditorëve të jashtëm, vërtetohet qartë se Blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova Holding sh.p.k. kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, respektivisht nenit 6.2.2.a të Marrëveshjes së Zotimeve për shkak se as nuk kanë përmbushur zotimet për investime e as nuk kanë përmbushur zotimet për punësime.
Për më tepër Blerësi ka dëmtuar dhe zbritur vlerën e ndërmarrjes me anë të përfitimit jo ligjor kur është bërë shpronësimi i disa parcelave të ndërmarrjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e autostradës për Vermicë. Me këtë rast mjetet e shpronësimit në vlerë prej rreth 630,000.00 Euro janë transferuar në llogarinë personale të njërit prej aksionarëve të “Gruppo Vinicolo Fantinel spa” në Bankën Teb dhe jo në llogarinë e ndërmarrjes.” thuhet në njoftimin e AKP-së./RahovecPost/
