Diskutohet mundësia e aplikimit të mësimit online pas rritjes së rasteve në shkolla

by RHP3

Kosova ditëve të fundit po përballet me numër të lartë të infektuarve me COVID-19. Kjo ka bërë që disa shkolla në vend të kalojnë në mbajtjen e mësimit online, pas paraqitjes së rasteve të infektimit të nxënësve me virus.

Gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2021/22 ka filluar më 10 janar, ndërsa deri tani shumë nxënës janë prekur nga COVID-19.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), Rrahman Jasharaj në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se është shqetësuese rritja e rasteve më coronavirus në institucionet arsimore.

Megjithatë, Jasharaj thotë se mësimdhënësit janë të gatshëm të punojnë edhe online.

“Është shumë shqetësuese kjo ngritja e rasteve në nivel vendi, por fatkeqësisht kemi raste që po rriten edhe në institucione arsimore.

Mësimdhënësit e Kosovës janë deklaruar se janë të përkushtuar që mësimin ta mbajnë në institucionet arsimore, pra me prani fizike, por gjithashtu ata janë deklaruar se do të mobilizohen edhe janë të gatshëm edhe për  versione të tjera, por që për këtë vendos Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arismit”, është shprehur ai.

Kreu i SBASHK-ut thotë se Task Forcat nëpër shkolla janë duke e përcjellë gjendjen sa i përket coronavirusit.

“Ajo çfarë dihet është se task forcat nëpër shkolla janë duke e përcjell gjendjen dhe i kanë rekomandimet se si duhet vepruar në bazë të numrit të prekurve.

Uroj mos të na shtohen këto raste me coronavirus brenda shkollave, sepse pastaj duhet menduar MASHT-i edhe për forma të tjera të punës. Sidoqoftë ne do të jemi të gatshëm nëse vendoset për të punuar në mësim online”, thotë Jasharaj, për Telegrafin.

Mirëpo, Jasharaj shtoi tutje se mësimi online është më i vështirë, për shkak se jo të gjithë janë të pajisur me pajisje teknologjike.

Related Articles

Leave a Comment