Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar se gjatë muajit dhjetor janë inspektuar disa operator ekonomikë që po merreshin me tregtinë e punimeve nga metalet e çmuara, përkatësisht nga ari dhe argjendi.
Nga MINT është bërë e ditur se janë larguar nga tregu një sasi e konsiderueshme e punimeve nga metalat e çmuara, që i janë vendosur në treg konsumatorëve në kundërshtim me ligjin.
“Operatorët Ekonomik para vendosjes në treg të punimeve nga metalet e çmuara, kanë për obligim që punimet të kontrollojnë dhe të shënojnë me shenjën e harmonizimit (e cila vërteton saktësinë e pastërtisë së punimit nga metali i çmuar).
Shenja e harmonizmit vendoset në Laboratorin e Punimeve nga Metalet e Çmuara në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës/MINT.
Inspektorati i Tregut do të vazhdojë inspektimet në bashkëpunim me Doganën e Republikës së Kosovës, derisa të sigurohemi që të gjithë Operatorët Ekonomik të cilët merren me tregtimin e Punimeve nga Metalet e Çmuara, janë duke respektuar dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet nga MINT.
“Në të njëjtën kohë ju bëjmë thirrje konsumatorëve që gjatë blerjes së punimeve nga metalet e çmuara (Ari dhe Argjendi), të kërkojnë nga Operatori Ekonomik të dëshmojë që punimet janë të shënuara me shenjën e harmonizimit.
Në rast se punimi nga metali i çmuar nuk është i shënuar, luten konsumatorët të refuzojnë blerjet dhe të njoftojnë inspektoratin e tregut në MINT”.
Inspektorati ka iniciuar rastet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
