KEDS-i ka bërë të ditur se kufizimet e planifikuara me energji elektrike do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.
Përmes një njoftimi me shkrim, KEDS-i bën të ditur se reduktimet do të vazhdojnë deri të merren instruksione tjera nga KOSTT-i.
“Duke qenë se kriza energjetike tashmë është thelluar në vendin tonë, dhe nga ana tjetër faktorë të tjerë, sikurse mbingarkesat e sistemit elektro-energjetik dhe trendi i rritjes së shpejtë të konsumit, kanë bërë që kufizimet e planifikuara me energji elektrike për të gjithë konsumatorët të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri sa të marrim instruksione tjera nga KOSTT”, thuhet në njoftim.
Në njoftim bëhet e ditur se ndalesat do të vazhdojnë të jenë rreth dy orë, në periudha të ndryshme të ditës.
“Këto ndalesa sipas planit do të vazhdojnë të jenë rreth 2 orë për secilin grup të konsumatorëve, në periudha të ndryshme të ditës. Dukuri që po pengon kyçjen me kohë të grupeve të caktuara, janë ngarkesat e mëdha që po shfaqen në dalje gjatë këtij procesi.
Për të eliminuar këtë dukuri, kërkohet bashkëpunimi i të gjithëve. Konsumatorët të cilët janë pa energji elektrike, sipas planit të kufizimeve duhet që pajisjet elektrike mundësisht t’i kenë të shkyçura apo të larguara nga priza, në mënyrë që procesi i rikyçjes të secilës dalje të realizohet në mënyrë të suksesshme”, thuhet në njoftim.
