41 nxënës u regjistruan në profilin e mjekësisë në një shkollë në Rahovec pa lejen e MASHTI-t, ende nuk dihet se ç’fat do t’i pret (Dokument)

by RHP

Një dokument i lëshuar më 19 gusht të këtij viti nga Inspektoriati i Arsimit, konstatohet një tjetër shkelje në sektorin e arsimit, për të cilën ende askush nuk e di se si do të trajtohet, transmeton Kosova Post.

Fjala është për 41 nxënës të regjistruar në profilin e mjekësisë në Shkollën e Mesme të Lartë Pedagogjike “Selajtin Mullaabazi Mici” në Rahovec, pa lejen e Ministrisë së Arsimit (MA).

Ndonëse inspektorati, nëpërmjet një vendimi, ka kërkuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), të marr masa disiplinore ndaj drejtorit të kësaj shkolle (V.Kollari), asgjë nuk është ndërmarrë.

Kosova Post ka kërkuar sqarime për rastin në fjalë, nga MASHTI, por as nga këta nuk ka marr përgjigje.

Dokumenti i siguruar, ndërkaq e specifikon qartë që drejtori i kësaj shkolle “ka regjistruar 41 (dyzetenjë), nxënës në profilin e mjekësisë, pa marr pëlqimin e MAShTI-t; i njëjti ka keqpërdorur detyrën zyrtare”, dhe se këtë e ka bërë, përkundër tërheqjes së vërejtjes “në mënyrë gojore” – thuhet ndër të tjera në vendimin e inspektoratit.

Përpjekja për të marrë një përgjigje nga DKA-ja e Rahovecit, përkatësisht drejtori Avni Morina, po ashtu ka dështuar. Ai nuk ka gjetur kohë për të dhënë ndonjë sqarim rreth çështjes në fjalë.

Ndërkohë inspektori Gjergj Gojani, për Kosova Post tha që palët kanë qenë të informuar me rastin. Ai po ashtu vuri në dukje faktin që dokumenti u është dorëzuar me kohë atyre. Megjithatë, shton se, ende nuk dihet se si do të veprohet në këtë rast dhe çfarë do të ndodhë me nxënësit e regjistruar në këtë profil./I.Topanica/KosovaPost/

Related Articles

Leave a Comment