Dorëzohet kallëzimi penal kundër kandidatit të AAK-së, Smajl Latifi (Dokument)

by RHP

“Drama” ndërmjet Inspektoriatit të Arsimit dhe Komunës së Rahovecit, është duke vazhduar. Inspektori Gjergj Gojani i cili dje deklaroi se është kërcënuar nga Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit, sot ka dorëzuar një kallxim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, transmeton Kosova Post.

Kallximi është kategorizuar si: “vepër penale e kanosjes”, ndërsa për argument ka atë që Gojani e ka deklaruar edhe në prononcimin e dhënë për Kosova Post (se është kërcënuar dhe fyer nëpërmjet telefonit, nga ana e Latifit).

Gojani për Kosova Post, ka siguruar që ka një varg dëshmish që e mbështesin qëndrimin e tij për sa i përket vendimit për shkarkimin e drejtorit Avni Morina dhe se e vërteta qëndron në anën e tij.

Ai edhe një herë ka deklaruar se materialet që ai i posedon, vërtetojnë një varg shkeljesh flagrante, që kanë të bëjnë me sektorin e arsimit në Rahovec.

Vlen të thuhet se, me gjithë përpjekjet e Kosova Post për ta marr edhe qëndrimin e palës tjetër, në këtë rast – Komunës së Rahovecit, përkatësisht kryetarit Latifi, nuk ka gjetur përgjigje. Nga kabineti i tij në vijimësi janë justifikuar duke thënë se kryetari është i zënë me aktivitete.

Megjithatë, ai në një prononcim për një medium tjetër, i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Gojanit dhe ka thënë se për këtë do të kërkoj hetime nga prokuroria. Ai nuk ka pranuar se e ka kërcënuar, e ndërsa çështjen e kanë marrë në duar organet e drejtësisë./I.Topanica/KosovaPost/

Related Articles

Leave a Comment