Ministri i Financave dhe Transfere, Hekuran Murati, ka akuzuar sërish ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj, lidhur me çështjet e shpronsimeve, për të cilin thotë se i ka shkaktuar dëme milionëshe vendit.
Përmes një postimi në rrjetin sociale Facebook, Murati ka thënë se toka e cila ishte privatizuar për 6 euro arin nga AKM/AKP, ishte vlerësuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor rreth 600-fish më shumë se çmimi i blerjes.
“Toka që AKM/AKP e kishte privatizuar për 6 euro/arin, në tabelat e vlerësimit të dorëzuara me 17 maj në MMPH, ishte vlerësuar me 3,700 euro/ari, pra rreth 600-fishi i çmimit të blerjes. Por sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim me 17 dhjetor 2019, që të njejtën tokë t’a shpronësojë për 7,500 euro/ari, pra 1,200-fishi (me fjalë: njëmijë e dyqind fishi i çmimit të privatizimit).”, ka shkruar ai.
Sipas ministrit, toka e cila ishte privatizuar për 4 mijë euro, do të shpronsohej për 4 milionë e 866 mijë euro, pra 1 mijë e 200 fish më shrenjtë se çmimi i blerjes në privatizim.
“Sipërfaqja e tërësishme e tokës, e cila për t’u privatizuar kishte kushtuar 4,000 (katër mijë) euro, tani do të shpronësohej për 4,866,000 (katër milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) euro.”, ka deklaruar ministri i Financave.
Murati është shprehur se fakte si kjo ka edhe shumë të tjera dhe sipas tij gjithçka duhet është veprimi i prokurorisë dhe organeve të rendit.
Ndërkaq lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, vazhdimisht i ka mohuar këto akuza, duke thënë se janë propagandë publike e Qeverisë për të mbuluar dështimet në menaxhimin e pandemisë, teksa të enjten ministrin Murati e ka quajtur ‘hajn të vogël’ të kryeministrit Albin Kurti.
“Këtij i ka kallëzuar stafi i tij, e i ka thanë shefi i vet ‘dil se na u kajt nana. Janë ka vdesin shumë njerëz e ta bojmë një tollovi, ta ndërrojmë diskutimin’”, është shprehur Haradinaj.
“Këtij iu ka dhanë detyra me zhvendos vëmendjen, kur janë 36 të vdekur, me zhvendos vëmendjen te një proces që nuk ka ndodh pagesa, për me tregu që është një hajn i vogël, u dasht me qu njëherë në prokurori, pastaj me dal në konferencë. Por ky me detyrë prej shefit të vet e ka bo njëherë konferencën për shtyp. Por, kjo nuk ua mbulon dështimet e tij”, tha Haradinaj për Muratin.
Ky është postimi i plotë i Muratit:
Toka që AKM/AKP e kishte privatizuar për 6 euro/arin, në tabelat e vlerësimit të dorëzuara me 17 maj në MMPH, ishte vlerësuar me 3,700 euro/ari, pra rreth 600-fishi i çmimit të blerjes.
Por sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim me 17 dhjetor 2019, që të njejtën tokë t’a shpronësojë për 7,500 euro/ari, pra 1,200-fishi (me fjalë: njëmijë e dyqind fishi i çmimit të privatizimit).
Sipërfaqja e tërësishme e tokës, e cila për t’u privatizuar kishte kushtuar 4,000 (katër mijë) euro, tani do të shpronësohej për 4,866,000 (katër milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) euro.
Pra nga 43 milionëshi i tërësishëm, një person i vetëm do të merrte 4.9 milionë euro, nëse keqpërdorimi do të shkonte deri në fund. Fatmirësisht, e stopuam me kohë.
Fakte si kjo, ka edhe shumë të tjera. Krejt çka nevojitet është veprimi i prokurorisë dhe organeve të rendit.
